VIDEO/ Trusti prezanton raportin vjetor: mbi treqind milionë euro kthim nga investimet
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK – Trusti) ka mbajtur konferencë për media, e cila shënoi konferencën përmbyllëse për vitin 2025, ku u prezantua Raporti Vjetor i performancës financiare dhe investuese.
Konferenca u hap nga Emanuel Bajra, kryetar i Bordit të Trustit Pensional të Kosovës, i cili theksoi se viti 2025 ka qenë një ndër vitet më të suksesshme për institucionin sa i përket kthimeve nga investimet dhe rritjes së mjeteve në menaxhim, përcjell kosova.info.
Sipas të dhënave të raportit, deri më 24 dhjetor 2025, Trusti ka realizuar një kthim bruto nga investimet prej mbi 312 milionë euro, duke shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2024, kur kthimi ishte rreth 244 milionë euro. Bajra theksoi se vetëm në dy vitet e fundit, kthimi i akumuluar nga investimet ka arritur në rreth 556 milionë euro, ndërsa që nga themelimi i Trustit, kthimi total i akumuluar bruto ka tejkaluar 1.3 miliardë euro.
Gjatë prezantimit u paraqitën edhe të dhënat sipas portofolave investues. Portofoli Standard, i dedikuar për kontribuuesit e moshës 15–57 vjeç, ka shënuar performancë vjetore prej +9.14%, duke tejkaluar inflacionin afatgjatë në Kosovë.
Portofoli Ndërmjetëm, për grupmoshën 58–62 vjeç, ka realizuar rritje prej +8.97%, duke reflektuar stabilitet dhe kthim të moderuar, ndërsa Portofoli Konservativ ka vazhduar të ndjekë qasje më të kujdesshme me fokus në ruajtjen e vlerës së kursimeve. Sipas kryetarit të Bordit, Emanuel Bajra, performanca pozitive e vitit 2025 është rezultat i zhvillimeve të favorshme në tregjet financiare ndërkombëtare, rritjes së të ardhurave korporative, si dhe alokimit të kujdesshëm të investimeve, veçanërisht në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit.
Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë regjistruar kontribute të reja në vlerë prej rreth 354 milionë euro, që paraqesin rritje prej 12% krahasuar me vitin paraprak, duke dëshmuar stabilitet të sistemit dhe besim të vazhdueshëm të kontribuuesve. Në përmbyllje të konferencës, Bajra theksoi se Trusti do të vazhdojë me menaxhim të kujdesshëm dhe përgjegjës të mjeteve të kontribuuesve, duke paralajmëruar se viti 2026 mund të karakterizohet nga luhatshmëri më e madhe në tregjet financiare globale./ kosova.info
