Veteranët hyjnë në oborrin e Kuvendit

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë hyrë të enjten në oborrin e Kuvendit të Kosovës, teksa protestojnë si shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, më 14 qershor.

Ata kanë arritur të hyjnë në oborrin e Kuvendit pas shtyrjeve me forcat e Policisë së Kosovës, derisa në hyrje të këtij institucioni janë pozicionuar njësitet speciale.

“Këta deputetë që shkelin ligje, që shkelin Kushtetutë, nuk e kanë vendin këtu”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL të UÇK-së), Faton Klinaku, para ndërtesës së​ Kuvendit, duke bërë thirrje për tërheqje të Projektligjit.

“Për shkak të këtij turpi të deputetëve, që nuk dëgjuan thirrjet tona, që të mos e miratojnë turpin e Qeverisë, u detyruam të thërrasim protestë”.

Ai ka paralajmëruar edhe protesta tjera.

“Lirisht mund t’ju them se secilën herë që këta (deputetët) do të kenë seanca, ne do të jemi këtu”.

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancën e radhës, duke nisur nga ora 10:00.

Protestuesit janë dëgjuar duke bërë thirrje, “Duam të drejtat tona” dhe “Duam një përgjigje”.

Go to TOP