Vedat Muriqi shënon `hat-trick`, i afrohet rekordit historik
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka vazhduar paraqitjet e tij mbresëlënëse në elitën e futbollit spanjoll. Të shtunën, në xhiron e 20-të të La Liga, ai realizoi hat-trickun e parë që nga transferimi te Mallorca në vitin 2022, duke e udhëhequr skuadrën drejt fitores kundër Athletic Bilbaos.
31-vjeçari zhbllokoi rezultatin që në minutën e 5-të, ndërsa më pas, në minutën e 42-të, e humbi një penallti, por shfrytëzoi topin e kthyer për të shënuar golin e dytë për Mallorcan, që e çoi rezultatin në 2-1. ‘Hat-tricku’-n e kompletoi në minutën e 69-të, nga pika e bardhë e penalltisë, për rezultatin final 3-2.
Ky ‘hat-trick’ e çon në 14 gola numrin e golave të Muriqit këtë sezon në La Liga, ndërsa numri i tij total në elitën spanjolle arrin 48 gola. Vetëm Kylian Mbappe ka shënuar më shumë këtë edicion, me 19 gola.
Muriqit i duhen vetëm shtatë gola për t’u bërë golashënuesi më i mirë në histori të Mallorcas, duke e kaluar legjendën Samuel Eto’o, që ka 54 gola në La Liga për ish-klubin e tij. Me golat e shënuar të shtunën, Muriqi gjithashtu u bë golashënuesi i dytë më i mirë në histori të Mallorcas, duke lënë pas ish-sulmuesin venezuelas, Juan Arango.
