Vdiq i riu që u plagos me thikë në Prizren, arrestohet i dyshuari

Ka ndërruar jetë personi me inicialet A.Th. (26-vjeç), i cili të shtunën në mesnatë ishte plagosur me thikë në lagjen Bazhderhane në Prizren dhe më pas ishte hedhur nga makina e sulmuesve në rrugë.

Përkundër se ekipet mjekësore kishin intervenuar menjëherë dhe e kishin dërguar viktimën në spitalin rajonal në Prizren dhe më pas ai ishte transferuar në QKUK për shkak të gjendjes së rëndë, mbrëmë vonë është bërë e ditur se ai nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

“Me datë 07.07.2024 rreth orës 21:00 nga reparti intensiv i QKUK-së policia është njoftuar se viktima A.Th., mashkull, 26 vjeçar ka ndërruar jetë. I dyshuari lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar nga policia. Rasti është duke u hetuar dhe do të veprohet në bazë të udhëzimeve të prokurorit”, ka thënë zëdhënësi i policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.

Go to TOP