Vdes poeti Xhevdet Bajraj

Lajm i kobshëm për dashamirët e shkrimit dhe jo vetëm. Ka ndërruar jetë poeti kosovar, Xhevdet Bajraj.

Këtë e konfirmoi para pak çastesh vëllai i tij, Fadili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Njoftim mortor: sot pas një sëmundje të shkurtër ndërroi jetë vëllai im Xhevdet Bajraj. Për datën e varrimit ju lajmërojmë në ditët në vijim”, shkroi ai mes të tjerash.

Kujtojmë se ai ishte një nga emrat më të njohur në artin e të shkruarit te shqiptarët.

Xhevdet Bajraj ishte poet dhe përkthyes, teksa shumicën e kohës jetoi e veproi në Meksikë.

Ai ka marrë disa çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Poezia e tij krahas përfshirjes nëpër antologji të ndryshme në gjuhën shqipe, spanjolle, serbe dhe angleze, është përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Në Meksiko Siti (Meksikë) jetonte nga viti 1999, ku shkoi me bursën e Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve.

Kishte nënshtetësi meksikane dhe nga viti 2002 punonte si profesor në Akademinë e Krijimtarisë Letrare në Universidad Autónoma de la Ciudad de México (UACM), ku ligjëronte disa lëndë mbi poezinë. Që nga viti 2016 mirrte bursë nga Sistemi Kombëtar i Krijimtarisë Artistike (meksikane).

Go to TOP