Udhëheqësi i Mianmarit shkon në Moskë, zotohet për lidhje më të thella ushtarake

Me të dy regjimet gjithnjë e më të izoluara në skenën botërore, gjenerali më i lartë i Mianmarit ka qenë në Moskë për të takuar zyrtarë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke u zotuar për lidhje më të thella ushtarake dhe bashkëpunim në energjinë bërthamore.

“Ata shkëmbyen sinqerisht pikëpamjet për promovimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekzistuese miqësore dhe bashkëpunimit ushtarak-teknologjik”, njoftoi media shtetërore e Mianmarit, pas një takimi midis gjeneralit të lartë Min Aung Hlaing dhe ministrit rus të mbrojtjes Sergei Shoigu.

Rusia është shfaqur si një nga mbështetësit më të rëndësishëm të ushtrisë së Mianmarit, e cila mori pushtetin në një grushtet në shkurt 2021, pavarësisht nga një fitore në zgjedhjet e vitit 2020 nga Lidhja Kombëtare për Demokraci e Aung San Suu Kyi. Regjimi i ri ka pak legjitimitet ndërkombëtar dhe ka luftuar për të kontrolluar një vend që shpërtheu fillimisht në protesta masive dhe më pas në rezistencë të armatosur kundër sundimit të tij.

Edhe Rusia ka shmangur njohjen formale të ushtrisë si qeveri e Mianmarit, duke rënë dakord të lejojë ambasadorin e caktuar nga qeveria e rrëzuar të mbajë vendin e tij në Kombet e Bashkuara. Dhe ndërsa Min Aung Hlaing ka bërë udhëtime të shumta në Rusi që nga grushtet, atij nuk i është dhënë një audiencë shumë e lakmuar me presidentin Vladimir Putin.

Por edhe pse shumë vende perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj ushtrisë, liderëve të saj dhe interesave të biznesit, Rusia dhe Kina kanë vazhduar armatosjen e regjimit, edhe pse ai i kthen armët e tij kundër civilëve të vet, duke vrarë më shumë se dymijë njerëz në më pak se 18 muaj.

“Regjimi i Putinit po ndihmon dhe nxit krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të ushtrisë së Mianmarit, të cilat po i kryen çdo ditë pa u ndëshkuar”, tha Khin Ohmar, kryetar i organizatës për të drejtat e njeriut “Zëri Progresiv”.

Një nga pjesët më të rëndësishme të mbështetjes ka qenë për forcat ajrore të regjimit, komandanti i së cilës është gjithashtu pjesë e delegacionit në Rusi. Ushtria po përballet me rezistencë të ashpër nga grupet e armatosura të sapoformuara kundër grushtetit, të njohura si Forcat e Mbrojtjes së Popullit (PDF), si dhe nga organizata të armatosura etnike, të cilat kanë luftuar për autonomi politike për dekada.

Go to TOP