UP hap afatin për ankesa ndaj konkursit të stafit akademik

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar të gjithë kandidatët që kanë aplikuar në konkursin për personel akademik të janarit 2026 dhe në vijim, se kanë të drejtë ankese në rast se vlerësojnë se gjatë procesit të vlerësimit ka pasur lëshime.

Sipas njoftimit, afati për paraqitjen e ankesave ndaj raporteve vlerësuese të fakulteteve është 15 ditë dhe fillon nga momenti i publikimit të buletineve me pikët e kandidatëve në uebfaqen zyrtare të universitetit. Kandidatët mund t’i konsultojnë raportet duke zgjedhur fakultetin përkatës dhe buletinin e konkursit ku kanë aplikuar.

Po ashtu, Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se aplikantët mund të paraqesin reagime edhe në fazat e mëvonshme të procesit, përfshirë shqyrtimin në nivel të Rektoratit dhe Senatit. Reagimet mund të dërgohen përmes adresave elektronike zyrtare të këtyre institucioneve.

UP thekson se mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të meritokracisë, ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies duke synuar përzgjedhjen e kandidatëve me arritjet më të larta akademike. /Kosova.info/

Go to TOP