UP e KEDS merren vesh për zhvendosjen e shtyllës te Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë
Universiteti i Prishtinës ka arritur një marrëveshje me Kompaninë Kosovare për Distribuimin me Energji Elektrike (KEDS) për zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë te objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe i Veterinarisë.
Sipas marrëveshjes, KEDS ka afat deri më 22.01.2026 që ta zhvendos Depon Qendrore, e cila ndodhet përballë objektit të Fakultetit, në mënyrë që pastaj të zhvendoset shtylla e tensionit të lartë siç kanë planifikuar.
Me zhvendosjen e shtyllës elektrike, do të barten edhe telat elektrikë që rektori Arben Hajrullahu bëri të ditur se UP-së do t’i kushtojë rreth 130-150 mijë euro.
Afërsia e shtyllës elektrike me objektin e ri të Fakultetit të Bujqësisë e ka pamundësuar funksionalizimin e tij tash e sa kohë dhe për këtë pati reagime javën e kaluar nga të dyja palët.
UP ka arritur marrveshjen me KEDS më 08.12.2025, pasi rektori Hajrullahu është takuar me Alpin Dogan, kryeshefin ekzekutiv të KEDS.
Hajrullahu i tha KALLXO.com se me kërkesë të tij i kishin shkuar në KEDS Dogan-it ta takonin bashkë me Arben Musliun, dekanin e Fakultetit të Bujqësisë, dhe e kanë shpjeguar situatën e rrezikimit të akreditimit të Fakultetit, në rast se nuk funksionalizohet objekti i ri.
“Dekani është në presion prej profesorëve, prej studentëve. Në qoftë se s’ka akreditim, profesorët e humbin vendin e punës e studentët mundësinë për me studiu… Deri me 22 janar, ata kanë thënë na kemi me liru hapësirën, m’i largu tendat për me hap rrugën, m’u zhvendos telat e tensionit të lartë.” – tha Hajrullahu përmes telefonit, më 09.12.2025.
Hajrullahu nuk e ka konsideruar zgjidhje bllokimin e Depos Qendrore të KEDS siç bën javën e kaluar- me traktorë e bllokuan rrugën për të shkuar te kjo depo.
Madje ai tha se para takimit me KEDS, i kanë larguar traktorët dhe kanë anuluar një protestë që kishin planifikuar ta realizonin të martën, më 09.12.2025.
“E kemi njoftu edhe KOSTTI-n (Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës), se KOSTT-i e bënë pastaj ndaljen e rrymës për me mundësu bartjen teknike në shtyllën e re edhe këtu jemi. Kështu që, po më duket, po shpresoj që do të gjenë zgjidhje kjo farë telashe.”- shtoi Hajrullahu.
Rektori Arben Hajrullahu mbajti një konferencë të jashtëzakonshme të premten, më 05.12.2025, në të cilën ngulmuan se KEDS po i pengon ta funksionalizojnë objektin e ri të Fakultetit të Bujqësisë.
Në këtë konferencë u kthye përsëri në publik çështja e akreditimit të programeve të studimit të Fakultetit të Buqjësisë dhe Veterinarisë të UP-së.
