UEFA e pranon gabimin në rastin Cucurella

Komiteti i Arbitrave pranë UEFA-s ka pranuar se dora e mbrojtësit Marc Cucurella gjatë ndeshjes mes Gjermanisë dhe Spanjës duhej të ishte ndëshkuar me penallti nga arbitri Anthony Taylor.

Në një njoftim zyrtar, UEFA ka bërë të ditur se episodi ku Cucurella ndaloi topin me dorë brenda zonës është analizuar me detaje dhe ka njoftuar Komitetin Ndërkombëtar të Arbitrave për gabimin e bërë. 

“Sipas rekomandimeve të fundit nga UEFA, kur topi i drejtuar drejt portës ndalohet nga dora e një lojtari, arbitrat duhet të jenë të rreptë dhe të akordojnë penallti. Ky rregull nuk zbatohet vetëm në rastet kur dora e lojtarit është shumë pranë trupit”, thuhet në deklaratën e UEFA-s.

Në rastin konkret, UEFA ka theksuar se dora e Cucurellës ishte e pozicionuar larg trupit, duke rritur volumin dhe penguar qartazi topin që po shkonte drejt portës, gjë që e bënte të nevojshme akordimin e penalltisë.

Sipas UEFA-s, ky rast do të shërbejë si shembull për të shmangur gabime të ngjashme në të ardhmen.

Ndeshja çerekfinale mes Gjermanisë dhe Spanjës ishte fituar nga “Furia e kuqe” me rezultat 1-2, me ç’rast Spanjës i ishte hapur rruga për t’u shpallur kampion. 

Go to TOP