Trepça mposht Yllin dhe shpallet kampione

Trepça është kampione në basketbollin e Kosovës, pasi ka triumfuar në finalen e pestë dhe vendimtare ndaj Yllit me rezultat të ngushtë 67:66. Në një ndeshje plot emocion dhe tension, mitrovicasit ia kanë dalë që të sigurojnë fitoren që u dha atyre titullin e shumëpritur.

Seria finale ishte një betejë e ashpër mes dy skuadrave, me rezultatin paraprak të barabartë 2:2. Të dy skuadrat kishin shënuar fitore si vendas: Mitrovicasit fituan me rezultatet 77:68 dhe 85:78, ndërsa therandasit fituan me rezultatet 80:79 dhe 75:71.

“Xehetarët” e kishin përfunduar edicionin e rregullt në vendin e parë me një bilanc prej njëzet e pesë fitoreve dhe vetëm tri humbjeve. Therandasit kishin mbaruar në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Pejën që kishte zënë vendin e dytë, të dyja skuadrat me nëntëmbëdhjetë fitore dhe nëntë humbje.

Në rrugëtimin e tyre drejt finales, Trepça e kishte eliminuar Sigal Prishtinën në gjysmëfinale me rezultatin e pastër 3:0. Nga ana tjetër, Golden Eagle Ylli kishte triumfuar ndaj Bashkimit në çerekfinale 2:0 dhe Pejës në gjysmëfinale me rezultat të ngushtë 3:2.

Ky edicion ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm për skuadrën nga Mitrovica. Pas fitimit të Kupës, Superkupës dhe Ligës Unike, Trepça e ka mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme duke e shtuar edhe titullin e kampionit në koleksionin e trofeve.

Go to TOP