Totaj nënshkroi sot Memorandum Mirëbesimi me “Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve” në Prizren

Në kuadër të fushatës vjetore, 16 ditë aktivizim kundër dhunës me bazë gjinore kryetari Shaqir Totaj nënshkroi sot Memorandum Mirëbesimi me “Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve” në Prizren, për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të strehimores dhe për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje e të dhunës mbi bazën gjinore dhe formave të tjera të dhunës, për periudhën fillestare tre vjeçare.

Në këtë projekt, përveç Komunës së Prizrenit, janë të përfshira edhe Komuna e Suharekës, Dragashit dhe ajo e Mamushës.

“Komuna e Prizrenit, do t’i mbështesë padiskutueshëm viktimat dhe asnjë grua nuk guxon të përjetojë asnjë lloj të dhunës. Ne punojmë drejt fuqizimit të lidershipit të grave në Komunën tonë si dhe në parandalimin e dhunës. Diagnostikimi i shpejt i kësaj problematike, siguron terapi të duhur për eliminimin e këtij fenomeni negativ” – tha me këtë rast Kryetari Totaj.

Misioni i OSBE-së në Kosovë, organizoi këtë manifestim të nivelit të lartë për vazhdimin e këtij memorandumi me Qendrën rajonale për strehimin e grave dhe fëmijëve, viktima të dhunës në familje.

Në këtë takim morën pjesë edhe Zëvendës Kryeministrja, Emilija Redžepi, Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, kryetarë komunash, përfaqësues të pushtetit vendës, nga gjyqësori, Institucioni i Ombudspersonit, bizneset, organizatat joqeveritare dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Go to TOP