Topanica: Vetëvendosje! vulosi zhveshjen nga tabani ideologjik – Dimal Basha përfaqësuesi më autentik i saj
Publicisti Imer Topanica ka komentuar zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës duke e lidhur këtë zhvillim me transformimin politik të Lëvizjes Vetëvendosje!.
Sipas tij, me këtë proces Vetëvendosje! ka vulosur formalisht zhveshjen nga tabani i saj i hershëm ideologjik politik, një proces që në koncept, siç thekson Topanica, kishte nisur prej kohësh.
“Shkurt, ajo ka pushuar së qeni një alternativë politike që ofron zgjidhje për probleme ekonomike, që e edukon skenën politike me një kulturë të një niveli tjetër, e aq më pak të përndezë ndjenjën e krenarisë dhe patriotizmit te qytetarët e republikës,” ka shkruar ai.
Duke iu referuar Bashës, Topanica theksoi se i sapo zgjedhuri në krye të institucionit më të lartë të vendit ka mbetur përfaqësuesi më autentik i Vetëvendosjes duke rikujtuar edhe fjalët e një miku të tij që kishte dhënë të njëjtin vlerësim.
Në fund, publicisti shtoi se, pavarësisht kritikave, mbetet pozitive që vendi ka dalë nga një “rreth vicioz” i bllokadës institucionale. /Kosova.info/
