Tolaj: Po neglizhohet vaksinimi masiv, mund të shfaqen variante të Covid-19

Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se është evidente që vaksinim masiv nuk ka.

Tutje, ai tha se në ditë do të duhej të vaksinoheshin mbi 30 mijë persona e jo vetëm 4 000 sa janë duke u vaksinuar.

“Është evidente që vaksina mjaftueshëm nuk ka dhe  furnizimi me vaksina ende nuk është bërë në nivelin në të cilin duhet që mandej të jetë i mundur që të bëhet një vaksinim masiv. Për këtë arsye besoj që nuk ka vaksinim masiv”.

“Vetë terminologjia e vaksinimit masiv nënkupton një vaksinim në të cilin do të përfshihet një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve në shumë pika të vaksinimit duke përmbushur një numër i cili do të tejkalonte 30 mijë të vaksinuar në ditë. Ndërsa tash po shohim se janë 4000 vaksinime në ditë”.

Tolaj theksoi se variante ka pasur që nga fillimi i pandemisë dhe tashmë është prezent edhe varianti Delta.

Sipas tij, nëse vazhdon që vaksinimi të jetë i mangët, atëherë mundësia e varianteve të reja është e mundur edhe në të ardhmen, raporton EO.

“Variante ka pasur që nga fillimi i disa prej tyre janë bërë mbizotërues në shkaktimin e infeksioneve dhe tash së fundi është edhe varianti Delta. Me siguri që nëse pandemia do të vazhdojë dhe nëse vaksinimi do të jetë i mangët dhe numri i njerëzve të cilët e kanë kaluar infeksionin qoftë në mënyrë të natyrshme ose që kanë krijuar imunitet përmes vaksinimit është më i vogël atëherë edhe mundësia e varianteve të reja është e mundur edhe në të ardhmen”.

“Variantet e reja të cilat eventualisht mund të shfaqen mund edhe të vijnë në Kosovë, por nuk mund të pres që këtu do të ndodhë një valë e re e infeksionit çfarë e kemi pasur më herët. Për të ndërprerë ecurinë e pandemisë është evidente çdo kund në botë që duhet të ekzistojë një komunitet kolektiv i popullatës. Ai imunitet mund të krijohet në dy mënyra duke e kaluar infeksionin  në mënyrë të natyrshme ose duke u vaksinuar”.

“…është e rëndësishme vaksinimi masiv edhe ata që e kanë kaluar sepse në këtë mënyre do të arrisin imunitetin. Dhe të gjitha vaksinat që janë duke u përdorur në botë janë të suksesshme. Nëse autoritetet në Kosovë do të jenë të suksesshme me siguruar një sasi shumë më të madhe të vaksinave dhe me mobilizuar potencialet e vaksinimit mundësia për një valë të re është minimale ose nuk ekziston fare në Kosovë”.

Go to TOP