TËVË1: Gazetari ynë kërcënohet pas hulumtimit për lidhjet e një zyrtari policor me grupin e Radoiçiqit

Pas publikimit të hulumtimit investigativ të TËVË1 mbi dyshimet për përfshirjen e një zyrtari policor në veri të vendit në aktivitete të lidhura me grupin e Millan Radoiçiqit, gazetari i TËVË1, Venhar Isufi, është kërcënuar drejtpërdrejt – nga vetë personi i përmendur në storie dhe nga majori i tij në Policinë e Kosovës.

Në reagimin zyrtar të televizionit, TËVË1 thekson se këto kërcënime përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

“Në vend të përgjigjeve me fakte, zgjidhet presioni dhe frikësimi, por kjo nuk do ta ndalë gazetarinë e lirë,” thuhet në reagim.

Televizioni kërkon nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor (IPK) dhe Prokuroria të veprojnë menjëherë për hetimin e kërcënimeve dhe për sigurimin e mbrojtjes së gazetarit.

Në fund të reagimit, TËVË1 thekson se nuk do të tërhiqet nga misioni i vet për të raportuar me fakte, guxim dhe përgjegjësi, pavarësisht presioneve apo tentimeve për frikësim.


Go to TOP