Tentim vrasje në Klinë: 45-vjeçari gjuan me breshëri automatiku, shkak borxhi prej 1 mijë eurosh

Në fshatin Leskoc të Klinës mbrëmë janë dëgjuar të shtëna me armë në afërsi të një shtëpie, ku një 45-vjeçar dyshohet se tentoi ta vras një person, për shkak të një borxhi.

Incidenti ka ndodhur mbrëmjen e së hënës dhe u përcoll me kërcënime, për çka Policia intervenoi me disa njësi policore.

Kështu kanë bërë me dije burimet nga Prokuroria dhe kanë njoftuar se konflikti kishte nisur për shkak të të hollave prej 1 mijë euro që djali i viktimës ia kishte borxh të dyshuarit. Ky i fundit vendosi t’i qërojë hesapet duke iu shkuar në shtëpi familjes së viktimës.

Sipas informacioneve të para, viktima ( ishte përballur me të dyshuarin, i cili po ia kërkonte paratë që djali i tij ia kishte borxh për një veturë që e kishte blerë.  Pasi nuk kishte para për t’ia paguar borxhin të birit, 58-vjeçari fillimisht pati një zënkë me të dyshuarin.

Sinjali mëson se aty situata eskaloi, pasi i dyshuari e kërcënoi viktimën, duke e paralajmëruar se “do ta vras djalin ose ty” dhe më pas kishte gjuajtur me breshëri automatiku në drejtim, ku për pasojë disa predha përfunduan në shtëpinë e viktimës.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur mbi 10 gëzhoja, që u konfiskuan nga zyrtarët policorë dhe janë bërë ekzaminimet e nevojshme. Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe inicimin e rastit.

Go to TOP