Tejkalim i rrezikshëm në Gjilan, shqiptim gjobe dhe njoftim për autoritetet
Një vozitës me automjet me targa të Zvicrës ka rrezikuar sigurinë publike në trafik, duke kryer një tejkalim të paligjshëm përmes trotuarit në zonën e një udhëkryqi në qytetin e Gjilanit, njofton Policia e Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur më 24 korrik 2025, kur vozitësi i automjetit Audi S6, me targa zvicerane (TG), në kundërshtim me Ligjin mbi rregullat e trafikut rrugor, ka tejkaluar në mënyrë të rrezikshme, duke përdorur trotuarin në anën e djathtë. Veprimi i tij ka rrezikuar seriozisht këmbësorët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Sipas njoftimit, momenti i këtij veprimi të rrezikshëm është dokumentuar edhe nga qytetarët përmes videove që janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe nga disa media vendore.
Policia Rajonale në Gjilan, konkretisht njësiti i komunikacionit rrugor, ka vepruar me shpejtësi, duke identifikuar personin përgjegjës dhe duke i shqiptuar gjobën përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Bazuar në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës për bashkëpunim në trajtimin e kundërvajtjeve të qytetarëve përkatës në territorin e shtetit tjetër, rasti dhe gjoba ndaj kundërvajtësit do t’i përcillen autoriteteve kompetente zvicerane për trajtim të mëtejmë.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për të garantuar sigurinë në rrugë dhe ka ftuar qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut. Po ashtu, qytetarët inkurajohen të raportojnë sjelljet e rrezikshme në rrugë.
