Të paktën 11 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Zyrtarët ukrainas thanë se nga vala e re e sulmeve ajrore ruse në kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera më 26 janar janë vrarë të paktën 11 persona. Por, Kievi tha se shumica e sulmeve ruse janë parandaluar, teksa luftimet e ashpra po vazhdojnë në lindje të Ukrainës.

Zëdhënësi i Shërbimit Shtetëror të Emergjencave, Oleksandr Khorunzhiy, tha se edhe 11 persona të tjerë janë plagosur, në ato që ai i përshkroi si “sulme terroriste me dronë dhe raketa”.

Tridhjetë e pesë ndërtesa janë dëmtuar, tha Khorunzhiy, shumica e tyre në rajonin e Kievit.

Ai tha se forcat mbrojtëse ukrainase me sukses kanë shkatërruar 47 nga 55 raketat ruse që janë hedhur nga rajoni i Detit të Zi.

Rel-i e ka të pamundur të verifikojë pretendimet nga secila palë në konflikt.Të paktën 11 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Sulmet e reja me raketa vijnë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, foli një ditë më parë, kur Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara premtuan se do t’i japin Kievit tanke të avancuara. Lideri ukrainas kërkoi nga aleatët perëndimorë që t’i dhurojnë shtetit të tij raketa me rreze të gjatë veprimi dhe avionë luftarakë, për të forcuar mbrojtjen ajrore ukrainase.

Ndërkaq, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga një sulm në kryeqytet dhe u bëri thirrje banorëve që të strehohen.

Sulmet ruse detyruan autoritetet ukrainase që të ndërmarrin masën e reduktimeve emergjente të energjisë në Kiev dhe në disa rajone të tjera, për të lehtësuar ngarkesën në rrjetin energjetik.

“Për shkak të kërcënimit nga sulmet me raketa në Kiev dhe në Odesa dhe Dnipropetrovsk, janë urdhëruar ndërprerje emergjente të energjisë”, tha kompania ukrainase e energjisë, DTEK.

Autoritetet thanë se raketat ruse kanë goditur dy ndërtesa të energjisë në rajonin jugor të Odesës.

Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore kanë akuzuar Rusinë se po përdor dimrin si armë në luftë, pasi Rusia që nga tetori i kaluar ka shënjesturar rrjetin elektrik të Ukrainës. /REL

Go to TOP