“Të ndalohen vetëkandidimet” – A e pati Kurti me Bahtirin?

Nuk përmendi emra, por kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi nga anëtarësia e partisë që të mos vetëshpallen kandidatë për kryetarë komunash, në zgjedhjet e sivjetme lokale, pa marrë mbështetje zyrtare.

Një gjë të tillë tashmë e ka bërë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili prej kohësh e ka filluar fushatën për një mandat të tretë në krye të komunës.

Ky nuk qe i qasshëm të dielën ta komentojë deklaratën e Kurtit, nëse lidhet me të, veçse publikoi në Facebook pikërisht këtë pjesë ku Kurti flet për unitet.

Por sipas aktivistit të Vetëvendosjes në këtë qytet, Ramadan Beshiri, mesazhi i Kurtit është i drejtpërdrejtë për Bahtirin, pasi është vetëshpallur kandidat sipas tekeve të tij.

Ndryshe mendon anëtari i Këshillit të Përgjithshëm, Fidan Ademi, njëherit drejtor komunal në kabinetin Bahtiri. Ky thotë se Kurti në këso raste flet në parim, për të gjithë, pa përmendur individë të përveçëm.

Brenda Vetëvendosjes në Mitrovicë flitet për disa emra të mundshëm për kandidatë. Më të përfolurit janë kryetari aktual Agim Bahtiri dhe deputeti Armend Muja.

Këtu dhe në komunat tjera, Vetëvendosje do të bashkëpunojë me Listën GUXO.

Go to TOP