Të mërkurën hapet ekspozita retrospektive e artistit Gjelosh Gjokaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë me dije se në Galerinë Kombëtare të Kosovës të mërkurën, nga ora 19:00, do të hapet ekspozita retrospektive e artistit Gjelosh Gjokaj, e titulluar “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj”, kuruar nga Shkëlzen Maliqi.

Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është një ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar.

“Vepra e tij është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani, ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë. Në Kosovë Gjelosh Gjokaj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si pedagog dhe themelues i shkollës së grafikës dhe si piktor.

Kjo ekspozitë, e organizuar për nder të 90-vjetorit të lindjes së Gjelosh Gjokajt, përfshin vepra nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt. Ajo përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të tij. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit, është ai i Sead Gjokajt nga Podgorica, një kushëri entuziast i Gjeloshit i cili në dy dekadat e fundit ka arritur ta bëjë, pos monografisë më përfshirëse dhe më cilësore të krijimtarisë së Gjeloshit, edhe një koleksion të begatë privat të veprës së Gjelosh Gjokajt”, ka njoftuar ministria.

Ndër të tjera, në këtë ekspozitë, koleksionin e jashtëzakonshëm të Seadit e plotësojnë edhe 18 veprat e Gjelosh Gjokajt që i ka fundusi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Me këto dy koleksione është synuar arritja e prezantimit të tërësisë së opusit të Gjelosh Gjokajt, që as gjatë jetës së tij nuk është realizuar si retrospektivë e këtij formati përfaqësues.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 7 korrik 2024. /Kosova.info/

Go to TOP