Tahiri: Qeveria bashkëpunoi me Listën Serbe, do të ikë me 9 shkurt

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se është thirrur një debat i jashtëzakonshëm për të diskutuar çështjen e faljes së borxheve për kompanitë e ujit në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një skandal madhor të qeverisë aktuale.

Gjatë fjalës së tij, ai ngriti disa pyetje të rëndësishme rreth këtij vendimi.

“Sot, ne jemi mbledhur në Kuvend si deputetë që kemi nënshkruar kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme me qëllimin e vetëm për të ndriçuar këtë skandal, që është ndër më të mëdhenjtë që kemi parë këto vitet e fundit. Është e domosdoshme që kjo çështje të diskutohet publikisht dhe të sqarohet vendimmarrja e qeverisë. Çfarë metode vendimmarrjeje po ndjekin ata? Cili është ndikimi i strukturave joformale dhe parapolitike në përdorimin e parasë publike? Duhet të zbulojmë ndikimin e grupeve brenda VV-së që shpërndajnë buxhetin dhe po nxisin korrupsionin në nivelet më të larta.”

Ai gjithashtu u ndal te mesazhet e publikuara mes koordinatores së VV-së, Dejona Mihali, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, duke ngritur shqetësime për rolin e strukturave joformale në vendimmarrje.

“Struktura që nuk kanë asnjë rol zyrtar në qeveri po marrin vendime për paratë publike të taksapaguesve. A po e kuptoni se përmes pazareve private, korrupsioni po instalohet si normë e pranueshme? Këto veprime tregojnë qartë se qeveria erdhi në pushtet me premtime mashtruese dhe po përdor pushtetin për interesa partiake dhe jo publike.”

Në fund, Tahiri tha se kjo qeveri do të largohet më 9 shkurt, duke theksuar se “kur dikush largohet, është sepse ka faj.”

Go to TOP