Syla: Bashkëpunimi me Shqipërinë dhe aleatët forcon mbrojtjen
Zëvendësministri i Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, Shemsi Syla, ka pritur pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Siguri dhe Mbrojtje nga Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë të Shqipërisë, të cilët po zhvillojnë vizitën e tyre studimore në Kosovë.
Syla ka njoftuar se gjatë takimit kanë ndarë pikëpamjet mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin profesional në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Po ashtu Syla ka theksuar se pjesëmarrja e Kosovës në këtë kurs është dëshmi e përkushtimit për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe për të bashkëpunuar ngushtë me Shqipërinë dhe aleatët.
“Në një ambient sigurie në ndryshim të vazhdueshëm, është jetike të ruajmë koordinimin strategjik dhe të shkëmbejmë njohuri të vlefshme për t’iu përgjigjur sfidave rajonale dhe globale”, ka shkruar Syla në Facebook.
Sipas Sylës ky kurs mbetet një platformë kyçe për zhvillimin e lidershipit dhe përgatitjen e liderëve të ardhshëm ushtarakë, diplomatikë dhe institucionalë, duke ofruar njohuri nga ekspertë të njohur ndërkombëtarisht, duke u shprehur se është i bindur se një bashkëpunim i tillë kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Ai ka falënderuar komandantin e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, gjeneral brigade Ylli Pulaj, për prezantimin e detajuar mbi strukturën dhe rëndësinë e këtij kursi, i cili këtë vit mirëpret pjesëmarrës nga disa vende partnere, përfshirë Kroacinë, Gjeorgjinë, Hungarinë, Italinë, Turqinë dhe Kosovën.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe zëvendëskomandantin e FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, dhe drejtori i Departamentit për Inteligjencë dhe Siguri, gjeneral major Gëzim Hazrolli. /Kosova.info/
