Sveçla publikon fotografi të armatimit të konfiskuar në Zveçan

Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas konfiskimit të një sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore, që dyshohet të ketë mbetur aty, pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Ai ka publikuar edhe pamje edhe nga armatimi i konfiskuar.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka shkruar se i kanë zbuluar përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri.

“Në çdo ditë të punës sonë po zbulojmë përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri, të cilat kanë sulmuar apo kanë planifikuar të sulmojnë zyrtarët tanë dhe institucionet tona”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë se mbetjet kriminale të Milan Radojçiqit po i çrrënjosin nga veriu i vendit tonë.

“Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve e qytetarëve. Të njëjtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Aleksandër Vuçiq”, ka shkruar tutje Sveçla.

Policia e Kosovës martën ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore 

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë për media ka thënë se në mesin e pajisjeve të konfiskuara janë rreth 1.500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe. /Kosova.info/

Go to TOP