Sveçla pret delegacionin nga Iowa: Thellim i bashkëpunimit Kosovë-SHBA në fushën e sigurisë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në takim një delegacion nga shteti i Iowa-s, SHBA, me të cilin diskutoi mbi raportet e shkëlqyera mes dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe rendit publik.

Në fillim të takimit, ministri Sveçla uroi mirëseardhje delegacionit amerikan në Kosovë, të cilën e cilësoi si “shtëpinë e tyre të dytë”. Ai falënderoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm duke theksuar se marrëdhëniet mes qytetarëve të Kosovës dhe Iowa-s janë pothuajse vëllazërore.

Palët vlerësuan lart marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, të cilat, sipas tyre, vetëm sa janë rritur e forcuar vitet e fundit. Ministri Sveçla theksoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në fushën e sigurisë, përmes iniciativave të përbashkëta për shkëmbim përvojash dhe mbështetje në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të rendit në Kosovë.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e delegacionit të Iowa-s shprehën gatishmërinë për të forcuar më tej lidhjet dhe bashkëpunimin me institucionet e Kosovës duke nënvizuar rëndësinë e këtij partneriteti në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë.

Takimi, sipas MPB-së, dëshmon përkushtimin e ndërsjellë për avancimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Iowa-s, sidomos në aspektet praktike të sigurisë dhe rendit publik. /Kosova.info/


Go to TOP