Sveçla jep detaje për plagosjen në veri: U arrestuan katër policët, njëri gjuajti me armë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për rastin e plagosjes në veri, në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit dhe pas kësaj polici ka gjuajtur me armë në drejtim të veturës, ku është plagosur qytetari M.J.
“Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njejtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK”, ka shkruar Sveçla.
