Sveçla: 8 Marsi, thirrje për jetë të barabartë e të sigurt të grave

8 Marsi është thirrje për bashkëveprim të pandalshëm që çdo vajzë e çdo grua të jetojë me dinjitet, e barabartë, e sigurt dhe e mbrojtur. Kështu ka theksuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai përmes një adresimi ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ku me këtë rast ai ka vënë në dukje se ‘8 Marsi’ është data që na e përkujton përpjekjen e pareshtur për barazi e drejtësi. 8 Marsi është thirrje për bashkëveprim të pandalshëm që çdo vajzë e çdo grua të jetojë me dinjitet, e barabartë, e sigurt dhe e mbrojtur. Rezistenca dhe kontributi i vajzave dhe grave në historinë e popullit tonë mbetet shembulli më i mirë që secili prej nesh kemi para vetes”, ka theksuar Sveçla.

Ai, më tej, ka theksuar se “si Ministri e Punëve të Brendshme, jo vetëm sot por çdo ditë, po punojnë që secila grua të jetojë e veprojë e sigurt në vendin tonë, ashtu që edhe secili vrasës mizor i vajzave e grave të sillet me shpejtësi para drejtësisë e të marrë dënimin e merituar”.

“Duke njohur pabarazinë që ka rënduar ndër vite ndaj vajzave dhe grave në punësim, synim i punës sonë mbetet të ngrehim të gjithë mekanizmat që të garantojmë pjesëmarrje të grave dhe vajzave brenda sektorit publik”, ka shtuar Sveçla.

Tutje, ministri i Brendshëm ka theksuar se sektorit të sigurisë i nevojiten edhe më shumë gra dhe vajza dhe kjo përbën prioritetin e kësaj ministrie.

“Vajzat dhe gratë që janë çdo ditë në uniformë kanë dëshmuar se shërbimi për qytetarët e për Republikën nuk ka gjini. Në këtë ditë të shënuar të 8 Marsit, shpreh mirënjohjen time të thellë për secilën vajzë e secilën grua që ka thyer çdo barrierë para saj. Para vetes kemi shumë sfida të cilat bashkëpunimi e bashkëveprimi si institucione e si shoqëri i tejkalon. Gëzuar sot dhe çdo ditë, nuk do të reshtim së punuari për barazi e drejtësi, mirëqenie e siguri”, ka shkruar ministri Sveçla. /Kosova.info/

Go to TOP