Suspendohet arsimtari që dyshohet se puthi nxënësen e mitur në Deçan
Arsimtari i cili dyshohet se e ka puthur një nxënëse të klasës së shtatë në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Deçan është suspenduar nga puna.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në këtë komunë Besnik Hulaj, i cili tha se i njëjti është suspenduar për 6 muaj.
“Po, është suspenduar. Vendimi është marrë nga unë. Një gjë e tillë është e ndaluar me ligj. Suspendimi është marrë për 6 muaj. Ai tani gjendet në hetuesi”, tha Hulaj.
Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka thënë se mësimdhënësi i dyshuar është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se e ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.
Si dhe ndaj tij, prokuroria brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokurori i shtetit ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale, “i cili ka shkuar në stacionin policor dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit”, ka thënë Nikqi.
