Supremja: Nagip Krasniqi dyshohet se i shkaktoi dëm buxhetit të Kosovës në vlerë të 60 mijë eurove

Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, për anulimin e dy vendimeve për masën e paraburgimit, atë të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.

Sipas Supremes, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë të 60 mijë eurove.

“Më datë 26 janar 2023, ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, duke e urdhëruar me shkrim shefin e prokurimit Y.D. që ta nënshkruan këtë kontratë kundër rekomandimit të KRPP-së, në bazë të të cilit tenderi duhej të rivlerësohej dhe të shpallet tender i hapur në vlerë 60 mijë euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës dhe përfitim të kundërligshëm operatorit ekonomik”, thuhet në njoftim.

Më tej, bëhet e ditur se po të lihej në liri, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, mund të ndikojë tek dëshmitarët apo edhe në prova.

“Me këtë janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit. Kjo gjykatë vlerëson se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse me gjetjen e të pandehurit N.K në liri, ekziston rreziku i asgjësimit, fshehjes apo ndryshimit të provave të veprave penale, duke ndikuar në dëshmitarët të cilët kanë njohuri me rastin si A.Sh., Y.D., R.B., S.I., E.T., pasi të njëjtit nuk janë dëgjuar ende nga ana e Prokurorisë, sepse shumicën e dëshmitarëve i njihen ngase punojnë në të njëjtin vend të punës”.

Go to TOP