Sulmohet fizikisht nga kunata e saj
Policia e Kosovës ka trajtuar një numër rastesh të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit, ku viktima të dhunës fizike ishin kryesisht femra, përfshirë edhe të mitura.
Sipas raportimeve zyrtare, incidentet janë regjistruar në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa shumica e të dyshuarve janë familjarë të ngushtë të viktimave.
Në Pejë, janë raportuar dy raste ku viktima janë vajza të mitura. Sipas Policisë, një e mitur u sulmua fizikisht nga axha dhe djali i axhës së saj. Nuk është raportuar për lëndime trupore, ndërsa të dyshuarit u arrestuan dhe u liruan më pas në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.
Një e mitur tjetër në Pejë u sulmua nga vetë babai i saj. Edhe në këtë rast nuk ka pasur lëndime, por i dyshuari u arrestua dhe u lirua në procedurë të rregullt.
Në Istog, rreth orës 14:10, një grua raportoi se ishte sulmuar fizikisht nga kunata e saj (motra e bashkëshortit). Pas intervistimit nga autoritetet, e dyshuara u lirua në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër i rëndë ndodhi në Malishevë, ku pas një mosmarrëveshjeje mes motrës dhe vëllait, të dy janë përfshirë në një përleshje fizike. Më pas, e dyshuara theu xhamin e veturës së vëllait dhe u largua në drejtim të panjohur. Prokurori vendosi që i dyshuari (vëllai) të intervistohet dhe të lirohet në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër ndodhi në Mitrovicë, ku një burrë nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht djalin e tij. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Autoritetet kanë njoftuar se të gjitha rastet janë duke u trajtuar dhe hetimet për secilin prej tyre janë në zhvillim.
