Sulmi seksual ndaj Mrika Nikqit, prokuroria pritet të kërkojë vazhdimin e paraburgimit ndaj Flori Beqirajt

Prokuroria Themelore e Pejës pritet të kërkojë vazhdimin e paraburgimit për Flori Beqirajn, i dyshuar për sulm seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili tha se kërkesa për vazhdimin e paraburgimit pritet të bëhet brenda afatit ligjor.

“Kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.B do të bëhet brenda afatit ligjor nga prokurori i shtetit. Jemi në fazën e veprimeve hetimore që kjo çështje penale të ndriçohet plotësisht”, tha Nikçi për Express.

Aplinistja Nikqi e kishte denoncuar vetë sulmin seksual ndaj saj, teksa pamjet i ka shpërndarë edhe në Facebook.

“Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer  me paramendim nga personi F.B, anëtarë i  një familje të njohur në  qytetin e Pejës. Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt”, kishte njoftuar alpinistja.

Alpinistja kishte deklaruar se sulmuesi ka lënë një vragë në jetën e saj. 

Pas arrestimit, Flori Beqirajt i ishte caktuar një muaj paraburgim.

Go to TOP