Stinori pranveror fillon me barazim

Me barazim ka nisur stinori pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Të shtunën në Ferizaj, Kastrioti e Ulpiana e Lipjanit barazuan 39:39.

Ishte kjo ndeshja e parë e xhiros së dhjetë.

Në 15 minutat e parë mysafiret ishin vazhdimisht në epërsi. Pas disa minutave të barabartë, sërish lojtaret e Ulpianës bënë shkëputje. Pas pjesës së parë rezultati ishte 21:17 për Ulpianën.

Edhe në pjesën e dytë kjo skuadër ishte shumicën e kohës në epërsi. Madje në minutën e 51-të rezultati ishte 34:30 për Ulpianën.

Kastrioti megjithatë ia doli të barazojë në 37:37 dhe të kaloi në epërsi 38:37. Dorentina Qufaj shënoi për epërsinë 39:38 të Ulpianës, shtatë sekonda para fundit. Por fare në fund për 39:39 realizoi Verona Muhaxheri.

Muhaxheri ishte bindshëm më efikasja me plot 14 gola. Tetë i realizoi Elza Reçica, gjashtë Eliona Maksuti e pesë Olsa Hoxha.

Dorentina Qufaj i shënoi 12 gola për Ulpianën. Elisa Krasniqi i kishte nëntë, Alketa Baftijari shtatë, kurse Albesë Dauti pesë.

Të dy skuadrat tani i kanë nga tri pikë. Ulpiana është e shtata e Kastrioti i teti. /Kosova.info/


Go to TOP