SPERTK anulon protestën pas vendimit të Qeverisë për financimin e RTK-së

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka falënderuar punëtorët e RTK-së për përkushtimin dhe pjesëmarrjen në protestat e zhvilluara javët e fundit, pavarësisht mosmarrjes së pagave për muaj të tërë.

Në një komunikatë për media, sindikata shprehu mirënjohje për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, BSPK-në, EFJ-në, mbi 15 milionë sindikalistë në SHBA, Qendrën Solidare, SGPM-në, si dhe mediat në Shqipëri që shprehën solidaritet.

SPERTK mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve buxhetore që do t’i mundësojnë RTK-së të dalë nga kriza financiare dhe njoftoi anulimin e protestës së parashikuar për 18 gusht. Sindikata kërkoi nga Kuvendi i ri miratimin urgjent të ligjit të ri për RTK-në, sigurimin e financimit të pavarur, rritjen e buxhetit, si dhe plotësimin e Bordit dhe pozitave udhëheqëse të transmetuesit publik.

SPERTK bëri të ditur se dokumentet e grumbulluara për padi do të asgjësohen, ndërsa falënderoi avokatin Yll Zeka për ndihmën pro bono. Sipas sindikatës, forcimi i RTK-së është forcim i lirisë së medias në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP