Spanja është kampion olimpik në futboll për meshkuj
Spanja ka triumfuar ndaj Francës me rezultat 5-3, duke fituar medaljen e artë në futboll për meshkuj në kuadër të Lojërave Olimpike Paris 2024.
Ndeshja është karakterizuar nga kthesa dramatike dhe në kohën e rregullt është mbyllur me rezultat të barabartë 3-3, duke çuar kështu ekipet në kohën shtesë, ku Spanja ia ka arritur t’i shënojë dy gola të tjerë dhe ta sigurojë fitoren.
Franca e ka nisur ndeshjen duke kaluar në epërsi qysh në minutën e njëmbëdhjetë me golin e Millot. Megjithatë, Spanja ka reaguar shpejt, duke e përmbysur rezultatin me dy gola të shpejtë të shënuar nga Lopez (në minutat 18′ dhe 25′), ndërsa Baena ka realizuar një tjetër gol, duke e thelluar edhe avantazhin 3-1.
Franca nuk është dorëzuar dhe është rikthyer në lojë me një gol të Akliouche në minutën e shtatëdhjetë e nëntë, duke ngushtuar diferencën. Në minutën e tretë të kohës shtesë, Mateta e ka barazuar rezultatin nga penalltia, duke e dërguar ndeshjen në kohën shtesë.
Në kohën shtesë, Spanja e ka treguar edhe një herë forcën e saj. Camello ka qenë protagonisti kryesor, duke shënuar golin e katërt për Spanjën në minutën e 100-të. Teksa Franca përpiqej të gjente golin e barazimit, Camello e ka vulosur fitoren e Spanjës me një tjetër gol në fundin e kohës shtesë, duke i siguruar ekipit “iberik” medaljen e artë.
Ky triumf shënon herën e dytë që Spanja shpallet kampione olimpike në futboll.