Slot e pranon se Liverpool po kalon një periudhë të vështirë

Trajneri i Liverpool, Arne Slot, ka pranuar se skuadra e tij po kalon një periudhë të vështirë, pas humbjes 2-1 ndaj Chelsea në ndeshjen e fundjavës në Premier League.

Në përballjen e zhvilluar në “Stamford Bridge”, “The Reds” pësuan disfatën e tretë radhazi, duke humbur terren në garën për kreun e tabelës.

Pas ndeshjes, Slot është shprehur se ekipi i tij ka krijuar mjaftueshëm për të marrë rezultat pozitiv, por nuk ka arritiur t’i konkretizojë rastet.

“Një tjetër humbje zhgënjyese, është e qartë. Në pjesën e parë patëm tri raste të mëdha, ata vetëm një dhe shënuan. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë, krijuam shumë, por nuk arritëm të shfrytëzonim rastet. Ishte një ndeshje që mund ta fitonte secila skuadër, për fat të keq, e fitoi Chelsea”, ka thënë trajneri holandez.

Slot ka theksuar se skuadra ende nuk ka arritur formën ideale, duke përmendur ndryshimet e shumta që ndodhën gjatë verës dhe kohën e kufizuar të stërvitjeve me lojtarët e rinj.

“Nuk je kurrë afër formës ideale. Duhet të punosh shumë për të arritur një nivel të caktuar dhe ta mbash atë, sepse përballesh me ekipe me shumë cilësi. Në verë patëm ndryshime të mëdha. Lojtarët erdhën në periudha të ndryshme dhe kemi pasur pak kohë stërvitjeje. Po përpiqemi t’i përshtatim me stilin tonë. Edhe një barazim sot do të kishte qenë një fillim i mirë, duke marrë parasysh çfarë kemi kaluar”, është shprehur ai.


Go to TOP