Skuadra e Claudio Ranieri fiton derbin e Romës

Roma ka triumfuar në derbin e kryeqytetit italian, duke mposhtur Lazio me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për Javën e nëntëmbëdhjetë të Serie A.

Vendasit e kanë nisur më mirë takimin në stadiumin olimpik, duke ushtruar presion që në minutat e para. Kone e ka pasur një rast të hershëm, por goditja e tij është ndalur nga portieri Provedel. Dominimi i Romës është shpërblyer në minutën e dhjetë, kur kapiteni Lorenzo Pellegrini ka shënuar për ta kaluar skuadrën e tij në epërsi.

Vetëm tetë minuta më vonë, Roma e ka dyfishuar avantazhin. Saelemaekers, i cili kishte asistuar për golin e parë, ka realizuar duke vulosur fitoren e vendasve qysh në pjesën e parë.

Lazio, e tronditur nga dy golat e shpejtë, nuk ka arritur të krijojë raste të rrezikshme deri në fund të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Lazio është munduar të rikthehet në lojë dhe ka pasur disa mundësi të mira, por portieri i Roma, Mile Svilar, ka bërë disa pritje vendimtare, duke ndalur përpjekjet e Taty Castellanos dhe Matteo Guendouzi.

Tensionet në fushë janë shtuar në minutat e fundit, dhe Lazio ka mbetur me një lojtar më pak pasi Castellanos është ndëshkuar me karton të kuq.

Roma e ka mbrojtur me sukses avantazhin dhe ka siguruar një fitore të katërt radhazi në të gjitha garat.

Pas kësaj ndeshje, Roma renditet në vendin e dhjetë me njëzet e tri pikë, ndërsa Lazio zë vendin e katërt me tridhjetë e pesë pikë. Tabelën e Serie A e kryeson Napoli me dyzet e katër pikë.


Go to TOP