Sindikata e RTK-së paralajmëron padi nëse pagat nuk dalin deri të enjten
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka bërë të ditur se, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, nëse deri të enjten nuk ekzekutohen pagat, do të nisë procedurat ligjore përmes padive në gjykatë.
Përfaqësimin ligjor të punëtorëve do ta bëjë avokati Yll Zekaj nga Shoqëria e Avokatëve “DeJure Law Firm”, i cili është angazhuar pro bono duke ofruar ndihmë ligjore falas për të gjithë të punësuarit.
Për t’u përfshirë në padi, punëtorët duhet të dërgojnë: kopje të letërnjoftimit (të dy anët) dhe kopje të kontratës së punës.
Dokumentet duhet të dërgohen vetëm në adresën zyrtare të e-mailit: 📧 [email protected]. Pas dërgimit të tyre, secili punëtor do të nënshkruajë një autorizim të përgatitur nga avokati, i cili shërben si pëlqim për përdorimin e të dhënave personale vetëm për këtë procedurë gjyqësore.
Në njoftim theksohet se të dhënat e mbledhura do të përdoren ekskluzivisht për qëllimin e ngritjes së padisë dhe jo për ndonjë përdorim tjetër, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së” ka ritheksuar se sindikatat, me pëlqimin e qartë të anëtarëve, kanë të drejtë të përpunojnë të dhënat e tyre për qëllime sindikale dhe ligjore. /Kosova.info/
