SHSRK kërkon nga ambasadat e OSBE ruajtjen e funksionalitetit të RTK-së

Shoqata Sindikale e Radio Kosovës i ka shkruar letër të hapur ambasadave të akredituara në Republikën e Kosovës dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë, për situatën e krijuar financiare në RTK.

Shoqata Sindikale e Radio Kosovës në këtër thotë se mungesa e një buxheti adekuat dhe të qëndrueshëm, veçanërisht mosalokimi i pjesës së dytë të buxhetit për vitin aktual, ka krijuar një situatë që po kërcënon jo vetëm ekzistencën e RTK-së, por edhe mirëqenien ekonomike të rreth 700 punëtorëve dhe familjeve të tyre që varen drejtpërdrejt nga ky institucion.

LETËR E HAPUR

Të nderuar përfaqësues të ambasadave të akredituara në Republikën e Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Kosovë,

Ne, përfaqësuesit e Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës, po ju drejtohemi me këtë letër publike me shqetësim të thellë për gjendjen alarmante financiare në të cilën ndodhet Radiotelevizioni i Kosovës, si pasojë e mosalokimit të mjeteve të nevojshme buxhetore për mediumin e vetëm publik në Kosovë.

Një medium i pavarur dhe funksional është një nga shtyllat thelbësore të një shoqërie demokratike. Mediat publike, në veçanti, luajnë një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin e transparencës, llogaridhënies dhe ofrimit të informacionit të drejtë, të balancuar dhe të paanshëm për qytetarët. RTK, si transmetuesi i vetëm publik në Kosovë, është institucion me mandat ligjor për të garantuar këtë mision.

Megjithatë, përkundër rëndësisë së këtij institucioni, RTK aktualisht po përballet me një krizë të thellë financiare, e cila po e vë në rrezik serioz funksionimin e saj të rregullt. Mungesa e një buxheti adekuat dhe të qëndrueshëm, veçanërisht mosalokimi i pjesës së dytë të buxhetit për vitin aktual, ka krijuar një situatë që po kërcënon jo vetëm ekzistencën e RTK-së, por edhe mirëqenien ekonomike të rreth 700 punëtorëve dhe familjeve të tyre që varen drejtpërdrejt nga ky institucion.

Në këto rrethana, ekziston rreziku real që RTK të mos jetë në gjendje të përmbushë mandatin e saj ligjor dhe publik, duke rrezikuar thellësisht funksionimin e demokracisë, lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për informim të lirë dhe të pandikuar.

Ne jemi të vetëdijshëm për mbështetjen e vazhdueshme që ju, si partnerë ndërkombëtarë të Kosovës, i keni dhënë proceseve demokratike dhe forcimit të institucioneve të pavarura në vend. Prandaj, në këtë moment kritik, kërkojmë vëmendjen dhe angazhimin tuaj për të kontribuar në ruajtjen e funksionalitetit të transmetuesit publik të Kosovës – RTK.

Ju falënderojmë sinqerisht për bashkëpunimin dhe përkrahjen tuaj të deritanishme, dhe shpresojmë në përkushtimin tuaj të mëtejmë për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj situate sfiduese për mediumin e vetëm publik në vend.


Go to TOP