Shqiptar të RMV-së nëse nuk dini se për kë të votoni shkoni në Kosovë dhe mësoni se si votojnë atje

Shkruan: Ejup BERIShA
Qytetarë të nderuar të RMV-së nëse nuk dini se për kë të votoni në zgjedhjet e radhës lokale atëherë dëgjoni dhe mësoni gjatë fushatës zgjedhore se cili subjekt pjesëmarrës në zgjedhje e ka ofertën më të mirë dhe programin më të pranueshëm zgjedhor.

E në zgjedhje gjithmonë ka më shumë oferta dhe programe që ofrohen nga më shumë subjekte politike me qëllim që qytetarët të mund të përcaktohen për to dhe të votojnë në zgjedhje. Votimi e di që është individual dhe i fshehtë por është mirë të zhvillohen debate mes njerëzve me qëllim që të njëjtët të këmbejnë ide, mendime, të shoshitin koncepte si dhe ti eliminojnë hamendjet se për kë është më mirë të votojnë në ditën e zgjedhjeve. Kjo jo me tendencë që të ndikohet mbi vullnetin e qytetarëve zgjedhës sepse zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe demokratike por kjo duhet të bëhet me qëllim që qytetarëve tu kristalizohen idetë dhe mundësitë për tu përcaktuar për subjektin/tet më të mira që më pas tu jepet vota atyre.

Siç theksova edhe më lartë para zgjedhjeve ka shumë oferta dhe programe që u ofrohen qytetarëve nga ana e partive politike me qëllim që këta të përcaktohen dhe ta japin votën e tyre për ato oferta dhe opsione politike të subjekteve politike për të cilat do të binden qytetarët se i kane programet më të mira dhe më të pranueshme për ta.

Nëse nuk dine se për kë të atëherë qytetarët le të mësojnë se për kënd është më së miri të përcaktohen. Unë me sinqeritetin më të madh u sugjeroj qytetarëve shqiptar që të votojnë për risinë sepse ajo e sjell ndryshimin e kjo e fundit rrjedhimisht e siguron edhe shpresën e humbur të tyre.

Tridhjetë e një vit pas zgjedhjeve të para politike pluraliste në RMV shumicës se qytetarëve këtu te ne u duhet që të ndjekin kurse dhe trajnime me qëllim që të mësojnë jo se si të votojnë por se për kë duhet të votojnë dhe për kë nuk duhet të votojnë.

Këtu në Ballkan njerëzit janë akoma analfabet dhe të paorientuar se për kë është më së miri të votojnë. Në këtë drejtim ka përparuar një pjesë e qytetarëve të Kosovës të cilët para ca muajve e dhanë provimin e pjekurisë politike dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare me vetëdije u përcaktuan për risinë, për ndryshimin dhe për shpresën.

Kosova pra është shembull tipik i një vendi bashkëkohor dhe të ngritur ku njerëzit e kanë mësuar mësimin se një subjekti apo një grupimi subjektesh nuk duhet dhënë legjitimitet sa herë që të donë dhe shprehin dëshirë ato subjekte sepse prej kësaj praktike nuk ka leverdi askush prej qytetarëve përpos subjekteve politike në pushtet. Në Kosovë subjektet politike në pushtet u sanksionuan nga votuesit sepse këto gjatë kohe nuk ishin në shërbim të qytetarëve shqiptar atje por nuk ishin as në shërbim të RKS-së. Dhe kur qytetarët bartësit e sovranitetit e morën mundësinë që të përcaktohen në zgjedhje ata nuk e bënë zgjedhjen e vjetër por u përcaktuan për ofertat dhe mundësitë e reja, apo e zgjodhën ndryshimin dhe shpresën duke votuar për partitë opozitare të grupuara rreth L.VV. Këtë gjë nuk e kanë bërë deri më tani qytetarët shqiptar në RMV të cilët edhe përkundër ofertave të shumta ja njëzet vite akoma votojnë për të njëjtin subjekt politik për BDI-në e cila ka kohë që nuk punon për interesat dhe për realizimin kërkesave të shumicës së votuesve shqiptar por e njëjta punon dhe vepron dhe angazhohet vetëm se për realizimin e interesit dhe të dëshirave të udhëheqësve të saj.

Go to TOP