Shqipëri, ekzekutohet në pritë ish-polici

Ishte ora 7 e 23 minuta e mëngjesit të së hënës kur 60-vjeçari Xhelal Reçi doli nga makina në qendër të qytetit të Laçit për hapur si zakonisht lokalin e tij.

Por ish-efektivi i policisë u përball menjëherë me një breshëri plumbash që vinin nga një makinë në lëvizje. Edhe pse tentoi të largohet, Reçi nuk ka mundur t’u shpëtojë plumbave dhe ka humbur jetën në vend për shkak të plagëve të marra. Gjithçka ka ndodhur në pak sekonda.

Burime në vendin e ngjarjes thanë se autorët janë larguar me shpejtësi me një makinë tip Toyota me targa italiane. Automjeti që dyshohet se përdorën autorët u gjet e djegur pas krimit në afërsi të urës së vjetër të Matit. Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta të policisë, ndërsa u ngritën postblloqe në përpjekje për të identifikuar dhe ndalur autorët, por deri tani pa rezultat.

Në ndihmë të policisë lokale shkuan edhe grupe të FNSH-së. Xhelal Reçi konsiderohej si person pa probleme. Pas lënies së uniformës së policisë ishte marrë me biznes. Pista e vetme ku po hetohen janë konfliktet e djalit të tij, Besnikut, që njihej si problematik. Ky i fundit i shpëtoi një atentati një vit më parë.

Në atë kohë, autorët iu afruan makinës së Besnik Reçit me një motor dhe hapën zjarr edhe pse ai shoqërohej nga bashkëshortja dhe fëmijët. Reçi mundi të shpëtojë për shkak të manovrimit të shpejtë. Që nga ajo kohë nuk ka asnjë autor të identifikuar të kësaj ngjarjeje.

Go to TOP