Shpërthimi në Kanalin Ibër-Lepenc, Qeveria e Kosovës Miraton Masa Shtesë Sigurie

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme pas shpërthimit të mbrëmshëm në fshatin Varagë të Zubin Potokut, i cili dëmtuan kanalin e ujit Ibër-Lepenc. Ky kanal furnizon me ujë disa qytete të Kosovës, përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria, thuhet se Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike, si ura, trafostacione, antena, liqene dhe kanale. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim.

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm, duke theksuar se shteti është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët dhe infrastrukturën kritike. Ai shtoi se situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet.

Ky akt ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ka rrezikuar furnizimin me ujë të pijes dhe energjinë elektrike për disa pjesë të Kosovës. Institucionet po punojnë intensivisht për sanimin e dëmit dhe rikthimin e furnizimit normal.

Go to TOP