Shoqëria civile: Rreziku nga ndotja po rritet çdo ditë

Ndotja e mjedisit aktualisht është kërcënimi që e preokupon njeriun e mileniumit. Rreziku rritet çdo ditë pasi që mjedisi po ndotet nga pakujdesia e qytetarëve, të cilët nuk janë mjaftueshëm të edukuar për sa i përket qasjes ndaj mjedisit.

Ndotja e mjedisit është një problem shumë i theksuar i ditëve të sotme. Rreziku nga ndotja rritet çdo ditë, e kjo ndodh edhe nga pakujdesia e qytetarëve. Këtë e konfirmoi për Radio Kosovën edhe Fatos Lajqi nga Organizata për Mbrojtje të Ambientit.

“Është një mungesë vizioni e gjithë neve si qytetarë të Republikës së Kosovës. Mendoj që ka të bëjë me edukatën tonë, me kulturën tonë, me mënyrën se si ne sillemi në përditshmërinë tonë”, tha Lajqi .

Ndërsa Luan Hasanaj nga Organizata “Let’s do it Kosova”, e cila është e njohur për aksionet e saj që i ndërmarrin për pastrimin e vendit, theksoi se në Kosovë vendet turistike ndoten nga pakujdesia e njerëzve.

“Imagjinoni, kur në vendet si Brezovica, në vendet si Rugova dhe vendet të cilat ne i kemi turistike e kemi një moskujdes të tillë të atyre të cilët janë përgjegjës për ta mirëmbajtur “, tha ai.

Hasanaj po ashtu tha se edhe kujdesi për t’i zbatuar ligjet, sidomos kur bëhet fjalë për gjoba, është inekzistent. 

Aktualisht sfidat kryesore ambientale në Kosovë janë dëmtimi dhe shkatërrimi i shtratit të lumenjve, ndotja e ajrit nga tymi i termocentraleve, sidomos në kryeqytet, shkatërrimi i pyjeve etj.

Go to TOP