Shoqëria civile reagon ndaj përfshirjes politike të Ambasadores Nita Luci: Kërkohet respektim i neutralitetit diplomatik
Organizatat theksojnë se prezenca e ambasadores në aktivitete partiake cenon ligjin, dëmton integritetin institucional dhe rrezikon politizimin e diplomacisë
Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar sot me shqetësim të thellë lidhur me raportimet për përfshirjen politike të Ambasadores së Republikës së Kosovës në Norvegji, znj. Nita Luci, në aktivitete të partive politike. Në deklaratën e tyre, organizatat theksojnë se një prezencë e tillë në një takim partiak, sidomos në prag të zgjedhjeve, përbën shkelje të parimit të neutralitetit diplomatik dhe mund të perceptohet si anshmëri në favor të një subjekti të caktuar.
Sipas tyre, ky veprim rrezikon të interpretohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe ka potencial të dëmtojë imazhin dhe besueshmërinë e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës. “Gara mes partive politike nuk është hapësirë ku diplomatët duhet të gravitojnë”, thuhet në reagim duke shtuar se audienca e ambasadorëve janë institucionet e shtetit pritës, organizatat joqeveritare, bizneset dhe qytetarët e huaj, e jo subjektet politike vendore.
Organizatat kujtojnë se përfshirja e diplomatëve në ngjarje partiake bie ndesh me praktikat ndërkombëtare, parimin e mosndërhyrjes dhe frymën e një gare demokratike të lirë e të ndershme. Ato paralajmërojnë se lehtësimi i rasteve të tilla mund të çojë në normalizimin e politizimit të diplomacisë – një trend i rrezikshëm për institucionet e shtetit.
Në reagim theksohet edhe baza ligjore e shkeljes. Sipas Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm, Neni 32 parasheh detyrimin e qartë që nëpunësit e shërbimit të jashtëm të “pezullojnë aktivitetin e tyre në një parti, organizatë ose shoqatë politike” gjatë periudhës së shërbimit. Për organizatat, çdo përfshirje e një ambasadori në aktivitete partiake përbën shkelje të drejtpërdrejtë të këtij neni dhe cenim të profesionalizmit të diplomacisë kosovare.
Në fund të reagimit, shoqëria civile i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të veprojë menjëherë, të sqarojë publikisht rastin dhe të zbatojë ligjin pa përjashtime. “Mosveprimi institucional përbën tolerim të shkeljes së ligjit dhe rrezikon integritetin e përfaqësimit diplomatik”, thuhet në përfundim. /Kosova.info/
