Shkurte Fejza feston jubileun: 25 vjet në robëri, 25 vjet në liri

Në kohën kur Kosova ishte nën okupimin serb, zëri i saj shërbeu si motiv për çlirim. Në kohën kur liria ka zbarkuar, këngët e saj mbesin vulë e rezistencës kombëtare.

Këngëtarja e këngëve patriotike, Shkurte Fejza, sot feston 50-vjetorin e karrierës. Rrugëtimin e saj muzikor ajo vet e ndan në dy pjesë: etapën e robërisë dhe atë të lirisë.

“25 vjet në robëri, 25 vjet në liri. Është një përjetim dhe shpesh e them se jam me fat që këtë rrugëtim e kam bërë bashkë me popullin tim, vuajtjet dhe gëzimet e tij, të cilat i kam shprehur edhe në këngë”, ka thënë ajo në intervistën e saj për RTK-në.

Fejza ka ndarë në “Mirëmëngjesi Kosovë” emocionet e arritjes së pesë dekadave karrierë muzikore, teksa ka dhënë detaje edhe për koncertin i cili do të mbahet më 8 qershor në Pallatin e Rinisë, në skenën e edicionit të parë të Festivalit të Këngës së RTK-së.  

“Janë 17 këngë, ka qenë shumë e vështirë t’i zgjedh, ka qenë sfidë se shumë këngë të bukura kam lënë anash. I kam zgjedh më shumë këngët që i do dhe i njeh publiku”, ka thënë ajo.

Këngëtarja që më së shumti njihet për “Mora Fjalë” e ka quajtur këtë koncert si dhuratë për publikun, i cili do të jetë pa bileta.

I njëjti do të mbahet edhe në Pallatin e Kongreseve në Tiranë më 20 qershor, me formacionin e njëjtë në përbërje prej Filarmonisë së Kosovës, Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe dhjetëra profesionistëve të tjerë muzikor.

Go to TOP