Shkëlzen Gashi denoncon bastisje dhe përndjekje politike nga institucionet e drejtësisë

Sot rreth orës 14:30, publicisti Shkëlzen Gashi raportoi se dy persona me veshje civile trokitën në derën e banesës së tij në mënyrë të ashpër duke shkaktuar frikë për sigurinë e tij dhe familjes.

Pas njoftimit të miqve dhe policisë, rezultoi se ata ishin pjesëtarë të policisë, të cilët prezantuan një urdhër të prokurorisë dhe bastisën banesën e Gashit duke sekuestruar pajisjet e tij elektronike, përfshirë telefonin, laptopin, si dhe një kopje të librit Masakrat në Kosovë dhe disa shënime për një ekspozitë.

Gashi u shpreh i habitur dhe zhgënjyer me institucionet e drejtësisë, të cilat sipas tij po përdorin mekanizmat institucionalë për hakmarrje dhe sulme me motive politike. Ai theksoi se kjo situatë, e cila filloi me rrjetet sociale dhe vazhdoi nëpër media dhe institucione, është një sulm i organizuar politik, për të cilin familjarët e viktimave të luftës nuk kanë asnjë faj.

Pas një seance katër-orëshe në Prokurorinë Speciale nën drejtimin e prokurorit Bekim Kodraliu, Gashi u lirua duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm për çdo informacion të kërkuar. Ai gjithashtu kërkoi falje për shqetësimet e mundshme ndaj familjarëve të viktimave dhe komunitetit duke theksuar përkushtimin e tij ndaj përpjekjeve për të vërtetën dhe drejtësinë. /Kosova.info/


Go to TOP