Biden: SHBA do të mbrojë çdo centimetër toke të vendeve të NATO-s

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha në Uashington se Amerika dhe aleatët nuk do të tremben nga kërcënimet e presidentit rus, Vladimir Putin gjersa shtoi se SHBA-të do të “mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”.

Putin nënshkroi dekrete për aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia, Zaporozhzhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk, të cilat vendet perëndimore, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan ashpër.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranojnë kurrë. Dhe për të qenë i sinqertë: as bota nuk do ta pranojë kurrë. Ai nuk mund të pushtojë territorin e fqinjit të tij dhe të ikë me të, ai thjesht nuk mundet”, tha Biden.

Sipas tij, SHBA do të vazhdojë t’i japë Ukrainës ndihma ushtarake për mbrojtjen e saj dhe ai vend do të marrë 13 miliardë dollarë të tjerë nga Kongresi amerikan.

“Amerika është plotësisht e përgatitur për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s me aleatët e saj të NATO-s, çdo pëllëmbë – kështu që, Putin, dua që ju të më kuptoni shumë qartë. Çdo centimetër”, tha Biden.

Ndryshe, Ukraina tashmë ka kërkuar që sa më shpejt të anëtarësohet në NATO. 

Go to TOP