Shala përfaqëson Kosovën në Konferencën Globale të Diplomatëve të Rinj

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, përfaqëson Kosovën në Konferencën Globale të Diplomatëve të Rinj në Kuala Lumpur

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, po qëndron në Kuala Lumpur, ku sot ishte folësja kryesore në Konferencën Globale të Diplomatëve të Rinj. Në këtë eveniment që mblodhi përfaqësues nga mbi 50 vende të botës, Shala përfaqësoi Kosovën me krenari dhe vizion.

Në fjalimin e saj, ambasadorja Shala theksoi rëndësinë e rinisë si forca më transformuese në botën e sotme. Ajo theksoi se të rinjtë janë më shumë se thjesht përfitues të politikave publike, ata janë aktorë aktivë që ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrje globale. Duke sjellë shembuj konkretë nga Kosova, ajo përmendi sesi rinia ka arritur të kapërcejë dallimet dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi.

“Të rinjtë nuk janë thjesht spektatorë të zhvillimeve globale. Ata janë liderë që sjellin energji, kreativitet dhe ide të guximshme për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh ambasadorja Shala.

Një mesazh kyç i fjalimit ishte nevoja për përfshirjen e të rinjve në proceset e paqes dhe vendimmarrjes. Shala bëri thirrje që qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare të krijojnë mekanizma të qëndrueshëm, si këshilla rinore pranë institucioneve dhe përfaqësim të drejtpërdrejtë në tryeza ndërkombëtare, për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe respektohet.

Ajo vuri në pah rolin kyç të të rinjve në balancimin e inovacionit, qëndrueshmërisë dhe paqes duke theksuar se dekada e ardhshme do të jetë vendimtare për ndërtimin e një bote më të drejtë dhe të ekuilibruar. Ambasadorja përmendi Kosovën si një shembull të suksesshëm, ku diplomacia filloi si një nevojë për mbijetesë dhe afirmim ndërkombëtar, por u zhvillua falë energjisë dhe kreativitetit të gjeneratës së re.

“Kosova dhe rinia e saj janë dëshmi e gjallë se nga dhimbja mund të lindë shpresa, dhe nga lufta mund të nisë një epokë e re, epoka e diplomacisë”, përfundoi Shala.

Në kërkesë të organizatorëve, ambasadorja Shala mbajti fjalimin e saj duke veshur veshje me motive kombëtare të Kosovës duke treguar krenarinë dhe identitetin e vendit të saj.

Konferenca në Malajzi ishte një platformë e rëndësishme që mblodhi diplomatë të rinj, liderë dhe përfaqësues nga vende të ndryshme duke nxitur dialogun, bashkëpunimin dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen.


Go to TOP