Serbia dhe Dezinformimi: Si u përdor ekstremizmi i rremë për të njollosur Kosovën në arenën ndërkombëtare

Për më shumë se pesë dekada, Serbia ka ndërtuar dhe promovuar një narrativë të rreme që paraqet Kosovën si një vatër të ekstremizmit islamik. Kjo propagandë, e manifestuar në forma të ndryshme, ka pasur për qëllim delegjitimimin e përpjekjeve të Kosovës për vetëvendosje dhe dëmtimin e imazhit të saj ndërkombëtar.

Në raportin “Mes frikës dhe propagandës – Ekstremizmi religjioz në Kosovë”, Instituti i Kosovës për Siguri dhe Riziliencë – Prevent analizon dhe kundërshton pretendimet serbe, duke argumentuar se përpjekjet për të etiketuar UÇK-në si një lëvizje ekstremiste islamike janë të pabazuara dhe kanë qenë vazhdimisht të hedhura poshtë nga ekspertët ndërkombëtarë. Historiani Tim Judah, në librin e tij Kosovo: War and Revenge, e përshkruan UÇK-në si një lëvizje të motivuar nga shtypja serbe, ndërsa historiani Sir Noel Malcolm ka argumentuar se pretendimet serbe për lidhje islamike të UÇK-së janë dezinformime.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Serbia ka intensifikuar propagandën e saj, duke e lidhur Kosovën me ekstremizmin fetar. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ish-kryediplomati Ivica Daçiq kanë bërë deklarata të pabazuara në forumet ndërkombëtare, duke e paraqitur Kosovën si kërcënim për stabilitetin e rajonit. Ish-presidenti serb Boris Tadiq, po ashtu, ka shfrytëzuar këtë narrativë për të penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Megjithatë, faktet tregojnë të kundërtën. Kosova ka marrë vlerësime pozitive nga Komisioni Evropian dhe Koalicioni Global Kundër Terrorizmit për angazhimin e saj në luftën kundër ekstremizmit. Ajo ka miratuar ligje të rrepta kundër përfshirjes së qytetarëve në konflikte të huaja dhe ka hartuar Strategjinë Kombëtare kundër Terrorizmit. Si një partner i besueshëm i Perëndimit, Kosova ka ndaluar rrjetet ekstremiste dhe ka riintegruar qytetarët e kthyer nga zonat e konfliktit.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Serbia vazhdon fushatën e saj dezinformuese, e mbështetur nga Rusia dhe rrjetet islamofobe në Evropë, duke tentuar të paraqesë Kosovën si kërcënim për vlerat perëndimore. Pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, Serbia ka manipuluar diskursin global mbi terrorizmin për të justifikuar spastrimin etnik të shqiptarëve. Studime të akademikëve Karmen Erjavec dhe Zala Volqiq kanë treguar se Serbia ka përdorur këtë strategji për të ndryshuar perceptimin ndërkombëtar mbi veprimet e saj në Ballkan.

Përballë këtyre përpjekjeve, Kosova duhet të forcojë mekanizmat e saj kundër dezinformimit dhe të bashkëpunojë me mediat dhe organizatat ndërkombëtare për të kundërshtuar narrativat e rreme. Ftojmë publikun dhe institucionet mediatike që të mbështeten në burime të besueshme dhe të mos bien pre e propagandës serbe që synon dëmtimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP