Serbët e veriut pa viza në BE

Qytetarët serbë të cilët jetojnë në veri të Kosovës e që kanë pasaporta të Serbisë që lëshohen nga Zyra Koordinuese në Serbi, nga sot mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.

Kjo pasi ka hyrë në fuqi rregullorja për heqjen e vizave, e cila është publikuar në Gazetën Zyrtare të BE-së më 23 shtator.

Por qytetarët që jetojnë në komunat me shumicë serbe, nuk kanë shumë interesim për ta shfrytëzuar këtë të drejtë.

“E kam unë një pasaportë. Nuk kam në plan të udhëtoj, kemi punë të tjera këtu me u marrë. Ka gjëra të tjera të rëndësishme për me u zgjidh”, ka thënë një qytetar.

“Nuk dua të udhëtoj, jam i moshuar. Nuk kam pasaportë, as nuk mendoj ta nxjerr. Jam i vjetër, nuk kam nevojë. Për ata që udhëtojnë, është gjë e mirë”, ka thënë një qytetar tjetër.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se ky vendim nuk ka dyshim se është negativ për Kosovën.

Ndaj këtij vendimi të Bashkimit Evropian me të cilin u liberalizuan vizat për serbët e Kosovës me pasaporta ilegale serbe. kishte reaguar Qeveria e Kosovës duke e parë si problematik faktin se në pasaportat që i lëshon Drejtoria Koordinuese e Serbisë në Beograd shkruhen vendbanimet në territorin e Kosovës sikur të jenë në Serbi, që është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në dialog për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte theksuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.

Go to TOP