Sallahu garanton përkushtim në avancimin e politikave sociale
Sfidat me të cilat përballen, prioritetet që lidhen me përmirësimin e shërbimeve sociale dhe familjare për qytetarët, kanë qenë temë e diskutimit në Departamentin për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, gjatë takimit që e pati ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu me drejtuesit e këtij departamenti.
Ministria e Drejtësisë thotë se Sallahu u garantoi atyre përkushtimin në avancimin e politikave sociale dhe mbështetjen e familjeve.
“Gjatë vizitës, Sallahu u njoftua nga afër me punën e departamentit, sfidat me të cilat përballen në përditshmëri, si dhe me prioritetet që lidhen me përmirësimin e shërbimeve sociale dhe familjare për qytetarët. Ai theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve institucionale dhe profesionalizmit në këtë fushë, duke garantuar përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë në avancimin e politikave sociale dhe mbështetjen e familjeve”, thuhet në njoftimin e MD-së.
Tutje, sipas ministrisë, Sallahu është shprehur se do të vazhdojë angazhimi për të ndërtuar një sistem më efikas, të drejtë dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët. “Me synimin që askush të mos mbetet pa mbështetje dhe kujdesin e nevojshëm”, thotë MD-ja. /Kosova.info/
