Sadiku: Fraksionet nuk e copëtojnë LDK-në, por janë çelësi për ringjalljen e saj

Problemi i LDK-së nuk janë “shumë zëra”, por mungesa e debatit dhe mbyllja e lidershipit

Politologu Arbëror Sadiku ka komentuar për Kosova.info situatën e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke theksuar se rezultati prej vetëm 14% nuk mund t’u faturohet “shumë zërave” brenda partisë, por mungesës së debatit të brendshëm dhe mbylljes së lidershipit.

Sipas Sadikut, problemi kryesor i LDK-së qëndron te centralizimi i vendimmarrjes dhe kufizimi i pluralizmit të brendshëm, apo siç e quan ai, “mbyllja e lidershipit, më saktë e liderit popullor”.

“Me vetëm 14%, problemi i LDK-së nuk është shumëzërësia, por mungesa e debatit dhe mbyllja e partisë ndaj ideve të reja,” ka deklaruar Sadiku.

Ai thekson se në partitë demokratike evropiane, fraksionet janë pjesë normale e funksionimit politik dhe nuk shihen si rrezik, por si mekanizëm për gjallërimin e ideve dhe lidhjen e partisë me bazën.

“Në Evropë, fraksionet hapin garë për ide, jo për klane. Ato e lidhin partinë me anëtarësinë dhe e forcojnë demokracinë e brendshme,” ka shtuar ai.

Sadiku vlerëson se LDK-ja sot ka nevojë për pluralizëm të brendshëm dhe debat substancial, e jo për disiplinë formale që, sipas tij, e thellon stagnimin politik. Ai nënvizon se fraksionet e rregulluara me statut nuk e copëtojnë partinë, por përkundrazi, e ringjallin atë.

“Në një parti në rënie, fraksionet nuk janë luks, por domosdoshmëri. Sigurisht duke u distancuar nga modeli ballkanik ku fraksionet nënkuptohen si tradhti ndaj partisë,” përfundon Sadiku.

Prononcimi i politologut vjen në një kohë debatesh të shtuara për të ardhmen dhe reformimin e LDK-së pas rezultateve zgjedhore. /Kosova.info/


Go to TOP