Sadiku: Drejtësia e ngadalshme në Kosovë po dëmton qytetarët, zgjidhja është digjitalizimi total

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka ngritur shqetësimin për zvarritjen e proceseve gjyqësore në Kosovë duke theksuar se vonesat shumëvjeçare po u kushtojnë qytetarëve kohë, para dhe mundësi zhvillimi.

Sadiku ka pyetur publikisht se sa qytetarë kanë përjetuar procese gjyqësore që zgjasin me vite, ndonëse sipas tij, shumë prej këtyre rasteve do të mund të përfundonin brenda disa ditësh. Ai theksoi se këto vonesa kanë ndikuar negativisht edhe në biznes dhe investime duke lodhur familjet që presin drejtësi.

Sipas tij, një nga pasojat më të rënda të këtij sistemi është edhe parashkrimi i rasteve, përfshirë edhe ato me akuza serioze, çka sipas tij përbën dëm të madh për shtetin dhe besimin në drejtësi.

Sadiku theksoi se problemi nuk qëndron tek individët, por tek sistemi i vjetruar dhe burokratik, i cili nuk po përshtatet me zhvillimet teknologjike të kohës.

Ai ka premtuar se, nëse i jepet mundësia, do të angazhohet për digjitalizimin e plotë të sistemit gjyqësor në Kosovë. Sipas tij, modeli duhet të ndjekë praktikat e vendeve si Estonia dhe Singapore, ku shumica e proceseve gjyqësore zhvillohen online.

Sadiku propozoi krijimin e një platforme moderne dhe të sigurt, ku qytetarët mund të ndjekin në kohë reale statusin e lëndëve të tyre, të identifikojnë vonesat, të marrin pjesë në seanca online dhe të përfitojnë nga përdorimi i inteligjencës artificiale për menaxhimin dhe analizën e rasteve.

Ai përfundoi me mesazhin se drejtësia e vonuar nuk është drejtësi duke bërë thirrje për reforma të thella që rrisin efikasitetin, transparencën dhe besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor. /Kosova.info/


Go to TOP